Brunilda Isaj, MBA, CRB
Brunilda Isaj, MBA, CRB
by: AMA
21 Tetor, 2020

Brunilda Isaj ka mbi 25 vite përvojë dhe histori suksesi në sistemin bankar dhe financiar shqiptar, duke mbuluar pozicione të ndryshme drejtuese me fokus zhvillimin e biznesit dhe përfaqësimin në nivel të lartë ekzekutiv. Përvoja e saj shtrihet në veprimtarinë bankare me individët dhe biznesin, zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve financiare, tregjet dhe instrumentet financiare, si dhe marrëdhëniet me mikro-ndërmarrjet dhe drejtimin e zhvillimit të biznesit me Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme. Karriera e saj filloi në Emporiki Bank Albania si oficere kredie dhe drejtuese e Njësisë bankare me pakicë, vazhdoi në Raiffeisen Bank Albania si Drejtuese Rajonale dhe me pas Drejtuese e Zhvillimit të Biznesit të SME-ve. Më pas ajo iu bashkua Credins Bank si Drejtore e Departamentit të Zhvillimit dhe së fundmi mbuloi në Alpha Bank Albania pozicionin e Drejtores së Njësisë së Biznesit Bankar me Pakicë dhe Anëtare e Drejtorisë Ekzekutive.
Gjatë periudhës së kontributit të saj si Sekretare e Përgjithshme e Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare, Znj. Isaj ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në avokimin dhe promovimin e sektorit mikrofinanciar, duke marrë pjesë aktive në politikëbërje dhe në fushën rregullatore. Ajo është organizatore dhe drejtuese e një sërë tryezash diskutimi dhe eventesh për adresimin e zhvillimeve dhe sfidave të mikrofinancës, si transformimi dixhital dhe tendencat e teknologjisë, objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm, financat e gjelbra dhe përfshirja financiare dhe edukimi financiar. Ajo ka punuar në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë, rregullatorët, investitorët dhe palët e interesuara, me synimin për të mbështetur sektorin dhe shtresat vulnerabël të shoqërisë, me pak ose aspak qasje në shërbimet kryesore financiare.
Si eskperte e pavarur, ajo ka ofruar konsulencën dhe ekspertizën e saj për institucione të rëndësishme financiare në Shqipëri në lidhje me strategjitë e tyre të zhvillimit, angazhimin dhe motivimin e stafit, si dhe qasjen e adoptuar në drejtim të menaxhimit dhe lidershipit. Në shkallë ndërkombëtare, ajo është ka kontribuar si Anëtare dhe Kryetare e Këshillit Mbikëqyrës të Qendrës Mikrofinanciare (MFC), një rrjet mikrofinanciar me mbi 100 anëtarë nga 36 vende të botës.
Aktualisht znj. Isaj mban pozicionin e Drejtueses Ekzekutive per Biznesin ne Institucionin Financiar NOA sh.a.