Dita Europiane e Mikrofinancës 2019
Dita Europiane e Mikrofinancës 2019
by: AMA
21 Tetor, 2020
Sot, në datën 15 Tetor 2019, Shoqata Mikrofinanca Shqiptare (AMA) organizoi eventin “Dita Europiane e Mikrofinancës 2019”, nën kujdesin e Rrjetit Europian të Mikrofinancës dhe Qëndres së Mikrofinancës (MFC). Ky event pati për qëllim prezantimin e arritjeve të industrisë së mikrofinancës
në nivel kombëtar dhe europian, me objektiv rritjen e ndërgjegjësimit në lidhje me impaktin social dhe ekonomik të mikrofinancës në përfshirjen financiare të masave, reduktimin e varfërisë dhe
krijimin e vendeve të punës.
Në event ishin të ftuar përfaqësues nga Qeveria, Banka e Shqipërisë, Agjensitë e Biznesit dhe Dhomat e Tregëtisë, institucione mbështetëse të industrisë së mikrofinancës dhe përfaqësues të institucioneve financiare jo-banka që kanë në objekt të tyre kreditimin.
Eventin e hapi me fjalën e tij përshëndetëse Presidenti i Rradhës i AMA dhe njëkohësisht Drejtor i Përgjithshëm i FedInvest, z. Perlat Sulaj, i cili u ndal në arritjet e mikrofinancës ndër vite, historitë e suksesit, por edhe sfidat që ka kaluar kjo industri në 27 vitet e ekzistencës së saj. Më pas, fjalën e
mori znj. Brunilda Isaj, Sekretare e Përgjithshme e AMA, e cila bëri një ilustrim në shifra të industrisë, duke cituar vëllimet e kreditimit, pozicionimin në treg, impaktin ekonomik dhe cilësinë e kredidhënies të institucioneve financiare jo-banka, anëtare të AMA, dhe duke ftuar edhe institucionet e tjera t’I bashkohën shoqatës me misionin e krijimit të një zëri në realitetin financiar shqiptar.
Në lidhje me zhvillimet europiane në industrinë e mikrofinancës, oportunitetet dhe sfidat përkatëse, foli z. Nicola Benaglio, studiues i shkencave ekonomike pranë Rrjetit Europian të Mikrofinancës, me
qendër në Bruksel, Belgjikë.
Eventin e përshëndeti z. Deniz Dëralla, Drejtor i Departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë, I cili foli në lidhje me strategjinë dhe masat që ka marrë Banka e Shqipërisë në lidhje me
edukimin financiar të masave, dhe rolin që mikrofinanca luan në këtë aspekt. Ai tërhoqi vëmendjen në drejtim të kreditimit të kujdesshëm, transparencës me klientët dhe përqasjen e saktë me kuadrin
ligjor dhe rregullator për të siguruar vijimësi të aktivitetit me një hop cilësor dhe me vlerë për tregun.
Së fundmi, një fjalë përshëndetëse mbajti edhe z. Alessandro Bragonzi, përfaqësues i Bankës Europiane të Investimeve dhe Fondit Europian të Investimeve, i cili pasi foli për EIB Group dhe veprimtarinë e tij, u shpreh se sinergjitë për të mbeshtetur tregun financiar në Shqipëri nuk
mungojnë, dhe se Grupi EIB e konsideron rajonin si një potencial për prezantimin e skemave dhe instrumentave financiare në mbështetje të ekonomisë. Eventi u mbyll me një koktej për të ftuarit.