DEKLARATË PËR MEDIAT
DEKLARATË PËR MEDIAT
by: AMA
25 Maj, 2021
Mbahet Mbledhja e 11-të e Rrjetit Shqiptar për Edukimin Financiar
Në datën 21.05.2021, nën kujdesin dhe drejtimin e Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare, dhe me prezencën e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe organizatave anëtare, u organizua takimi i 11-të (njëmbëdhjetë) i Rrjetit Shqiptar për Edukimin Financiar (ANFE). Pjesëmarrësit në këtë takim virtual u ndalën dhe diskutuan mbi disa tema me interes për tregun financiar, të cilat përfaqësojnë kontributin e anëtarëve të Rrjetit në lidhje me rritjen e ndërgjegjësimit për edukimin financiar dhe përmirësimin e nivelit të tij në të gjitha shtresat e popullatës.
Një vend të rëndësishëm në diskutime zuri inisiativa e Bankës së Shqipërisë për të hartuar një Strategji Mbarëkombëtare për Edukimin Financiar, inisiativë e cila është mirëpritur nga ANFE dhe anëtarët e saj janë angazhuar të kontribojne maksimalisht për ta bërë këtë strategji sa më gjithëpërfshirëse dhe me ndikim sa më të gjërë në shtresat e popullatës. Në këtë drejtim pati edhe disa prezantime dhe ndërhyrje nga eskpertë ndërkombëtarë, të cilët sollën eksperiencën e tyre në këtë drejtim, të aplikuar në vende të tjera.
Kontribute të vlerësuara maksimalisht u prezantuan edhe nga anëtarët në drejtim të veprimtarive të ndërmarra në kuadrin e rritjes se edukimit financiar, si “Java e Parasë 2021”, krijimi i “Fjalorthit të Termave Financiare”, një kontribut mjaft serioz i të gjithë anëtarëve të ANFE për tregun financiar vendas. Po ashtu, u mirëpritën edhe informacionet në lidhje me veprimtaritë e planifikuara gjatë këtij viti, si “Java Globale e Investitorit 2021”, “Dita Botërore e Kursimeve 2021”, “Fushata Huamarrje e Zgjuar 2021”, si edhe veprimtari të tjera të cilat janë duke u organizuar në vijimësi.
Për informacionin e Rrjetit dhe të anëtarëve të tij, u ofruan gjithashtu edhe prezantime ne lidhje me statusin aktual të operimit të Regjistrit të Titujve ALREG, si edhe ne lidhje me Ligjin e ri Nr. 32/2021 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, miratuar së fundmi nga Kuvendi i Shqipërisë dhe risitë që ai sjell si një hap i rëndësishëm drejt përafrimit legjislativ me standartet europiane.
Pjesëmarrësit ofruan diskutime konstruktive dhe dhanë kontribut të rëndësishëm në hartimin e plan veprimit në lidhje me rolin e Rrjetit Shqiptar për Edukimin Financiar në vijimësi, qoftë në drejtim të hartimit të Strategjisë Kombëtare për Edukimin Financiar, si edhe në drejtim të aktiviteteve të planifikuara përgjatë vitit.
Në lidhje me Rrjetin Shqiptar për Edukimin Financiar
Rrjeti Shqiptar për Edukimin Financiar (ANFE), është një organizëm i krijuar në vitin 2018, i cili mbështetet nga dhjetë institucione financiare dhe organizata përfaqësuese të operatorëve të tregut: Shoqata Shqiptare e Bankave, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, Shoqata Mikrofinanca Shqiptare, Shoqata e Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimeve, Shoqata e Tregtimit të Titujve, Bursa Shqiptare e Titujve ALSE, Junior Achievement of Albania, Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, Shërbimi Kombëtar Rinor dhe German Sparkassestiftung in Albania. Misioni kryesor i këtij rrjeti organizatash është të kontribojnë në përmirësimin e nivelit të edukimit financiar në vend, duke ndërgjegjësuar, advokuar dhe promovuar aktivitete të organizuara nga organizatat pjesëmarrëse për këtë qëllim.