Shqip English

Permbledhje e diskutimeve te Grupit te Punes III

Permbledhje e diskutimeve te Grupit te Punes III

by: adminadmin

28 Tetor, 2021

Shoqata Mikrofinanca Shqiptare, me mbështetjen e Microfinance Centre (MFC) dhe financimin e Bashkimit Europian nën Programin për Punësimin dhe Inovacionin Social (EaSI), organizoi një tryezë diskutimi me temë: “Produktet dhe Shërbimet Inovative në Mikrofinancë”, ku u trajtua tema e ofrimit të produkteve të sigurimeve në bujqësi dhe sfidat e prezantimit të tyre në tregun shqiptar. 

Të ftuar në këtë tryezë diskutimi ishin përfaqësues të institucioneve financiare jo-banka, të cilët janë aktivë në kreditimin e bujqësisë, përfaqësues të lartë të sektorit dhe ekspertë të pavarur z. Agim Rrapaj, Kryetar i Këshillit Shqiptar të Agrobiznesit dhe z. Ilir Pilku, Studio ASF, përfaqësues të tregut të sigurimeve si znj. Mimoza Hajdarmataj, Sekretare e Përgjithshme e Shoqatës së Siguruesve dhe z. Ogert Shkrepa, Drejtor i Departamentit të Pasurisë dhe Garancive pranë kompanisë SIGAL UNIQA Group, etj. 

Paneli i parë i këtij diskutimi paraqiti informacion në lidhje me veprimtarinë e institucioneve të mikrofinancës në mbështetje të zhvillimit të bujqësisë, sfidat me të cilat sektori u përball gjatë krizës së pandemisë por edhe fuqinë që tregoi duke mos e ndërprerë për asnjë moment kreditimin. Në këtë panel u diskutua edhe për pozicionimin strategjik të institucioneve karshi bujqësisë, duke pasur parasysh rëndësinë e këtij sektori në zhvillimin ekonomik të vendit dhe furnizimin e zinxhirit ushqimor. Në këtë kuadër, institucionet anëtare kanë ende për të bërë në rritjen e mbulimit me produkte dhe shërbime sa u takon zonave gjeografike por edhe specializimit të mëtejshëm të forcës shitëse në ofrimin e shërbimeve jo financiare të këshillimit dhe asistencës teknike për fermerët. 

Në panelin e dytë fokusi u zhvendos në drejtim të produkteve dhe shërbimeve që i ofrohen tregut sot, dhe sfidave që sektori has në lidhje me mungesën e formalizimit të fermerëve, dhe grupimeve të ndryshme të tyre në drejtim të kapacitetit prodhues dhe atij pagues. Po ashtu, u nënvizua nevoja për bashkëpunim dhe kontribut të përbashkët për bujqësinë nga të gjitha grupimet e ngritura në mbështetje të saj. Në drejtim të produkteve të sigurimeve, përfaqësuesit e sektorit shprehën gatishmërinë e tyre për t’I ofruar në treg këto produkte tashmë të gatshme, por edhe nënvizuan vështirësinë e tregut për t’i absorbuar ato për shkak të kostove relativisht të larta. 

Pjesëmarrësit diskutuan gjerësisht dhe ranë dakord të vijojnë bashkëpunimin për të krijuar një aleancë të koordinuar, me pjesëmarrjen edhe të institucioneve shtetërore, e cila do ndihmojë në ofrimin e skemave të subvencionimit të kostove për primet e sigurimit, duke pasur parasysh përfitimet që ofrojnë skemat e sigurimit dhe shkurtime të konsiderueshme në fondet shtetërore të përdorura për dëmshpërblimin e fermerëve në raste fatkeqësish.


Kontakt

contact Ama

SHOQATA MIKROFINANCA SHQIPTARE

Adresa: Rr. Qemal Stafa, Kati 9, Nr. 70, Tirana

Tel: +355 69 40 92229

E-mail: info@ama.com.al

@2020 AMA. All Rights Reserved.