AMA, partnere në organizimin e konferencës
Shoqata Shqiptare e Mikrofinancës (AMA) ishte partnere në organizimin e Konferencës së 28-të Vjetore të Microfinance Centre (MFC), të zhvilluar në Durrës, më 19-21 maj 2026, në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë. Konferenca mblodhi drejtues të institucioneve mikrofinanciare, përfaqësues të institucioneve rregullatore dhe partnerë ndërkombëtarë për të diskutuar të ardhmen e mikrofinancës, përfshirjen financiare dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit. Në fjalën e saj përshëndetëse, Presidentja e AMA-s, znj. Arlinda Muja, theksoi rolin e mikrofinancës në mbështetjen e sipërmarrjes, edukimin financiar dhe zgjerimin e aksesit në financim për individët dhe bizneset e vogla.



Vlerësimi i AMA - s në fushatën "Borrow Wisely"
Një tjetër moment i rëndësishëm i konferencës ishte ceremonia e vlerësimit të kontributeve në fushatat ndërkombëtare të MFC-së, përfshirë "Borrow Wisely", ku AMA dhe anëtarësia u vlerësua për angazhimin e saj në promovimin e huamarrjes së përgjegjshme dhe edukimit financiar. Ky vlerësim pasqyron kontributin e Shoqatës dhe institucioneve anëtare në rritjen e ndërgjegjësimit të konsumatorëve dhe promovimin e praktikave të përgjegjshme financiare.



Financimi i gjelbër dhe forcimi i partneriteteve rajonale
Në kuadër të konferencës, Presidentja e AMA-s, znj. Arlinda Muja, mori pjesë në panelin "The Power of Proximity: Partnership Models for Greening the Balkans", së bashku me përfaqësuese të Habitat for Humanity International dhe Shoqatës së Institucioneve Mikrofinanciare të Bosnjë-Hercegovinës. Diskutimi u përqendrua në rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për zhvillimin e financimit të gjelbër, zgjerimin e aksesit në financimin e banesave dhe promovimin e investimeve në eficiencën energjetike. Përmes rolit të saj në organizimin e konferencës dhe pjesëmarrjes aktive në iniciativat e MFC-së, AMA riafirmon angazhimin për forcimin e përfaqësimit të sektorit të mikrofinancës në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, promovimin e financimit të përgjegjshëm dhe zhvillimin e partneriteteve të qëndrueshme.

