MËSIME TË NXJERRA NGA NJË VIT PANDEMIE – REFLEKTIME
MËSIME TË NXJERRA NGA NJË VIT PANDEMIE – REFLEKTIME
by: AMA
26 Mars, 2021
Mbahet Mbledhja e Parë e Grupit të Punës të Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare
Në datën 25 mars 2021, me mbështetjen e Microfinance Centre (MFC) dhe me përkrahjen financiare të Bashkimit Europian nëpërmjet Programit të Punësimit dhe Inovacionit Social (EaSI), Shoqata Mikrofinanca Shqiptare zhvilloi tryezën e parë të diskutimit të Grupit të Punës për këtë vit me temë: “Mësime të nxjerra nga një vit pandemie, reflektime”. Diskutimet në këtë tryezë virtuale u përqëndruan kryesisht në cështjet dhe problematikat me të cilat u përball sektori për shkak të ndimkimit të COVID-19, përpjekjet që u bënë për të përballuar me sukses goditjen e krizës dhe cfarë duhet marrë si mësim për të ardhmen, me qëllim reduktimin e këtyre goditjeve dhe vijimin e aktivitetit kreditues për ekonominë.
Takimi u hap më fjalën përshëndetëse të Presidentës së rradhës së AMA, znj. Arlinda Muja, dhe më pas vijoi me një prezantim të indikatorëve kryesorë të biznesit për anëtarët e Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare në këtë vit pandemie, të cilët paraqiten të ngadalësuar për shkak të ngadalësimit ekonomik, kërkesës në nivele të ulëta për shkak të pasigurisë së krijuar nga pandemia, si edhe politikave disi më selektive të kreditimit nga disa prej institucioneve. Vlen të përmendet që sektori paraqitet i mirekapitalizuar me një rritje të burimeve financiare të brendshme prej 30% krahasuar me vitin 2019, dhe me një bilanc total me rritje prej 4% krahasuar me po të njëjtën periudhë.
Institucionet pjesëmarrëse ndanë eksperiencat e tyre dhe parashtruan sugjerimet në lidhje me mësimet që sektori i mikrofinancës merr me vete nga kriza, e cila mbetet aktive dhe ndikimi i saj vijon. Nga një pjesë e mirë e folësve u theksua nevoja për më shumë mbështetje për mikrofinancën nga qeveria, banka qëndrore dhe politikëbërësit, duke pasur parasysh rolin vital të sektorit në përkrahjen e qindra mijëra individëve, fermerëve dhe mikrondërmarrjeve.
Për të lehtësuar këtë proces, u sugjerua të intensifikohen rrugët dhe mënyrat e përcjelljes dhe shpërndarjes së informacionit në lidhje me sektorin e mikrofinancës dhe ndikimin e tij në ekonomi, si edhe në lidhje me problematikat dhe sfidat e hasura në kushtet e mungesës së mbështetjes nga ana e institucioneve dhe politikëbërjes me mjete emergjence në kushtet e një krize që pati ndikim serioz në tregun të cilit i shërben mikrofinanca.
Aktualisht mikrofinanca numëron rreth 163 mijë klientë aktivë, dhe gjatë vitit 2020 akordoi rreth 177 mijë kredi të reja në vlerën e 15.4 miliardë lekë (vlera i takon vetëm anëtarëve të Shoqatës për fund vitin 2020). Gjithashtu, sugjerimet janë edhe për ngritjen e strukturave të brendshme për mbështetjen e anëtarëve qoftë me teknologji, zhvillime operative, likuiditet apo ndërmjetësime të natyrave të tjera, ashtu edhe me dizenjimin e propozimeve ligjore dhe financiare për të indentifikuar qartë dhe trajtuar sektorin e mikrofinancës në planin legjislativ dhe rregullator si një tërësi institucionesh të ndara nga sektoret e tjerë financiarë, me individualitetin dhe karakteristikat e tyre të vecanta.
Diskutimet u mbyllën me një shkëmbim opinionesh në lidhje me digjitalizimin e mikro-ndërmarrjeve dhe nivelin e inovacionit që ato janë duke adoptuar, si edhe mënyrat me të cilat institucionet e mikrofinancës mund të asistojnë në këtë drejtim.